Memushajt akoma i mërzitur

Sport

Për fatin e keq, Ledian Memushaj, edhe këtë sezon nuk arriti të ngjitej në elitën e futbollit italian. Peskara e tij e pati të pamundur të kalojë gjysmëfinalet e ‘play off’ ndaj Veronës, ekipi që më pas preu biletën për në Serinë A. Vlonjati, i cili edhe në grumbullimin e fundit të Kombëtares për dy ndeshjet e zhvilluara ndaj Islandës dhe Moldavisë, nuk ishte i pranishëm për shkak dëmtimi, ka folur në medien italiane për sezonin që mbylli me peskarezët.
Mesfushori e ka quajtur si plagë që ende djeg dështimin për t’u ngjitur në Serinë A. “Është e kotë ta fshehim zhgënjimin, plaga ende djeg dhe do të dojë kohë për t’u shëruar. Ka qenë një sezon pozitiv, askush nuk na shihte mes favoritëve, por luftuam deri në fund për t’u rikthyer në Serinë A. Duhet të mësojmë edhe nga humbjet, siç kemi bërë shpesh edhe në të kaluarën…”.


Memushaj shtoi se tashmë me trajnerin e ri Stefano Zauri do të kërkojnë të ndërtojnë diçka të rëndësishme. “Duhet të jemi të përqendruar të sfidat e reja kur të rinisin përgatitjet. Do të kem gjithnjë kujtime pozitive nga trajneri Pilon, por tani duhet të vendosemi në shërbim të teknikut të ri, Zauri. E njohim atë, gëzon vlerësimin tonë dhe besoj se është një njeri që e di si të na marrë më të mirën për të ndërtuar diçka sa më të rëndësishme”, përfundoi Memushaj, i cili flitet se ka ndezur interesimin e një skuadre tjetër të Serisë B, Salernitanës, në pronësi të presidentit të Lacios, Claudio Lotito.