Ledian Memushaj vijon të mos kalojë një periudhë të mirë te Benevento, skuadër që tashmë mori edhe sigurinë e rënies në Serinë B pas vetëm një viti në A. Gjithsesi, fitorja kundër Milan-it në stadiumin “San Siro” hyri në histori pasi ishte triumfi i parë i saj në transfertë sa i takon kampionatit italiane. Ishte një sukses që i shijoi më shumë Berat Gjimshitit, pasi ishte nga minuta e parë si titullar duke qenë madje edhe njëri prej më të mirëve. Mirëpo s’ndodhi e njëjta gjë për shqiptarin tjetër të Beneventos, Ledian Memushaj. Vlonjati, që ka humbur “gjurmët” në radhët e skuadrës nga Kampanja. Statistikat tregojnë se Memushaj ka kaluar sezon me shumë oshilacione këtë vit. 31-vjeçari i mesfushës është aktivizuar vetëm 17 ndeshje këtë sezon, prej të cilave 15 i ka nisur si titullar. Mirëpo prej disa ndeshjeve, ai tashmë nuk preferohet as si zëvendësues.
Shkak për këtë mësohet se janë bërë disa fërkime që ka pasur me trajnerin De Zerbi. Për më tepër, ai nuk u la të largohej nga Benevento, megjithëse Bari bëri presion për ta pasur në radhët e vetë. Ja që një zgjidhje e tillë nuk u pranua nga drejtuesit e ekipit verdhe-kuq që e detyruan Memushajn të qendronte, edhe pse duket se nuk i hynte më në punë. Tashmë ai mezi po pret fundin e kampionatit për të parë për një tjetër sistemim. Mesfushori është i huazuar një vit te skuadra e Beneventos, pasi kartonin e tij e ka në zotërim Peskara-s. Gjithsesi duket e vështirë që do të pranojë të qendrojë aty dhe ka nisur të flitet se me shumë mundësi, Bari do të jetë skuadra e tij e ardhshmë. Sidomos nëse do të ngjitet në Serinë A.