Memushaj: Shqipëria e varfër, por gjithmonë u vjen në ndihmë “miqve”

Sport

Shumë bujë bëri gjesti i dërgimit të 30 mjekëve shqiptarë për të ndihmuar italinë që të kalojë emergjencën e Coronavirusit. Veprim me solidaritet të madh, që ka ndjerrë në dukje lidhjen e fortë të popullit shqiptar dhe me atë italian. Për të komentuar këtë vendim ka ndërhyrë edhe mesfushori i Pescara, Ledian memushaj, i cili ka dhënë një intervistë për Gianluca di Marzio në Sky Sport. “Ishte një gjest vërtet prekës, aq sa m’u rrënqeth mishi. Ndonëse jemi një shtet në rritje, mbetemi ende të varfër ekonomikisht. Megjithatë, me aq pak sa kemi mundësi, mundohemi të ndihmojmë të tjerët. E mbi të gjitha, Italinë, që për neve është një shtëpi e dytë. Nuk mund të mohohet se mes Italisë dhe Shqipërisë ka një mardhënie të shkëlqyer. Tek neve në Shqipëri shihen të gjitha kanalet televizive italiane. Jemi rritur me këtë frymë dhe një pjesë e mirë e njerëzve atje e kanë mësuar italishten përmes televizionit. Për ne, Italia është si një atdhe i dytë”. Memushaj ka treguar edhe një histori personale, që ka lidhje me Italinë. “Në gjysmën e dytë të viteve ’90, në vendin tonë pati një moment lufte, ku ndodhte gjithcka. Unë fatmirësisht kisha tim atë, që punonte. Por më pas gjeta mundësinë, pas shumë përpjekjeve e vështirësive, për të ardhur në atë që e konsideroj si vendin më të bukur në botë. Kam kaluar më shumë vite këtu, sesa në Shqipëri. Prandaj ndihem edhe italian. Në moshën 15-vjeçare isha në La Specia, megjithëse në atë periudhë pata mundësinë të luaja gati nëpër të gjithë Italinë”, ka rrëfyer vlonjati.
Sa i takon situatës emergjente, që ndikoi edhe në ndërprerjen e kampionatit italian, Memushaj ka thënë: “Në janar dhe shkurt kishim shumë lojtar me grip. Madje edhe njerëz të stafit. Ishte një situatë e çuditshme, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Gjithsesi, donim të jepnim një shembull dhe zbritëm në fushë me maska. Sipas meje, virusi preku edhe skuadrën tonë, por nuk na bënë asnjë analizë. Sidoqoftë mund të them se më kënaqi fakti që në një moment u vendos të pezullohej gjithcka, në të mirë të shëndetit të njerëzve”.
Në fund, edhe një koment i mesfushorit shqiptar në lidhje me gjendjen e futbollit. “Kushedi nëse do të rifillojmë të luajmë. Mendoj se do të bëhet gjithcka për të rinisur. Futbolli është i rëndësishëm në Itali edhe në nivel ekonomik. Jo vetëm për futbollistët, por edhe për njerëzit që janë të përfshirë në të gjithë këtë industri”, përfundoi Memushaj.