Memushaj, presidenti i Peskarës: “E pëlqejnë, por s’e lëshojmë”

Sport

Presidenti i Peskarës, Daniele Sebastiani bllokon largimin e mesfushorit të Shqipërisë Ledian Memushaj. Në një intervistë për gazetarin italian Luixhi Di Marzio, kreu i klubit italian thekson se nuk ka ndërmend të lërë njërin prej lojtarëve të tij më të çmuar të largohet në mes të sezonit.
Pas përplasjeve me trajnerin Luçiano Zauri u shtuan zërat se Memushaj do të largohej nga Peskara. Ndërkohë, Kremoneze ka shprehur interes për 33-vjeçarin, por për Sebastianin, kjo gjë nuk i bën përshtypje duke ditur vlerat që ka vlonajti. “Kremoneze po ndjek Memushajn: Kur një lojtar është i fortë, është normale që ekipet e tjera ta pëlqejnë. Mirëpo Lediani është njëri prej futbollistëve tanë nëse nuk pranon të largohet. Por, këtë opsion e shoh tepër të vështirë. Besoj se ai nuk do të largohet nga këtu”, ka deklaruar ndër të tjera presidenti i Peskarës Daniele Sebastiani. Kështu, kreu i klubit peskarez e ka bërë e qartë se te mesfushori i Kombëtares kuqezi ka shumë besim dhe shihet si një futbollist i rëndësishëm për skuadrën, ku madje ai është edhe kapiten. Mediat italiane raportojnë se Peskara ka refuzuar ofertat për Memushajn dhe e ka siguruar se do të mbetet një pjesë e rëndësishme për të ashtuquajturit “delfinë”, të paktën deri në fund të sezonit.