Memushaj, çfarë goli! “E provova se pashë portierin e dalë”

Sport

Ledian Memushaj ka shënuar një gol fantastik nga më të bukuritë në karrierën e tij, duke i dhënë Pescarës fitoren 2-1 në shtëpi ndaj Ascolit. Ishte minuta e 80 e takimit, kur në një aksion nga e majta e sulmit, vlonjati i Kombëtares nxorri nga cilndri një magji të tij, duke shtangur portierin e duke realizuar një gol të stilit-Del Piero.
Një goditje “vrasëtare” nga një kënd gati i pamundur për 31-vjeçarin, i cili provoi gjuajtjen prej rreth 22 metrash, duke i dhënë ekipit golin me vlerën e tri pikëve pas një serie prej 3 humbjesh. Këtë sezon, mesfushori dhe kapiteni i Pescaras, Memushaj ka zhvilluar 24 takime në Serinë B, duke shënuar tre gola dhe dhënë 12 asiste. Kurse “delfinët” tanimë ndodhen në kuotën e 35 pikëve, duke mbajtur vendin e 10 pas 26 javësh.
“Pas një periudhe të vështirë erdhi kjo kënaqësi. Kishim shumë dëshirë për të fituar, ashtu si edhe tifozët tanë përderisa ishte një derbi. GOli? Doja të gjuaja në portë. E dija që era do të mund të më ndihmonte. Fatmirësisht shkoi mirë”, u shpreh Memushaj në fund të ndeshjes.