Memphis Depay nuk do bashkohet me Interin

Sport

Shuhet shumë shpejt transferimi i mundshëm i Memphis Depay tek Interi. Gjatë ditëve të fundit, mediat spanjolle raportuan se Barcelona dhe klubi zikaltër ishin në bisedime për shkëmbimin e lojtarëve, Memphis Depay dhe Joaquin Correa. Tulipani do të zbarkonte në “San Siro”, ndërsa argjentinasi në “Camp Nou”.

Mirëpo një çështje e tillë tanimë mund të konsiderohet e mbyllur. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë agjenti i Depay, Sebastien Ledure, i cili ka mohuar përditësimet e shtypit spanjoll.

Sakaq, kjo nuk do të thotë se Depay do mbetet pjesë e organikës së Barcelonës. 28 vjeçari ka ende edhe 6 muaj kontratë me klubin katalanas, mirëpo largimi i tij nga gjigantët spanjollë duket e pashmangshëm gjatë këtij afati kalimtar dimëror.

Si fillim, që në krye të herës, për Depay është interesuar Atletico Madrid dhe nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi të bëhet pjesë e skuadrës së Diego Simeones. Prej andej është larguar një element si Joao Felix, e në këtë mënyrë, në “Estadio Metropolitano” është i nevojshëm një zëvendësues i portugezit.

Depay është një lojtar që plotëson edhe kushtet e Atleticos, sepse Rojiblancos duan një futbollist me kosto të ulët, por që zotëron kualitet. Depay i zotëron të dyja këti tipare dhe në aksin Barcelonë-Madrid ka optimizëm se operacioni do kryhet me sukses.