Meha, Memushaj e Abrashi, gola shqiptarë

Sport

alban-meha-c1200x600
As fundjavën që lamë pas nuk kanë munguar golat shqiptarë. Megjithëse kryesisht kanë ardhur në kategoritë inferiore të kampionateve të futbollit në Europë. I vetmi që ka ardhur mes superiorëve ka qenë ai i Alban Mehas në Turqi. Mesfushori ka shënuar golin e fitores 2-1 të ekipit të tij Konyaspor ndaj Osmanlispor, të ardhur me përmbysje në transfertë. Ky ishte goli i dytë turk për Mehan, i kthyer në një lider te turqit, me golat dhe lojën e tij.
Në Itali, Ledian Memushaj rikthehet në fushë pas dëmtimit, por edhe te goli me Peskarën. Mesfushori i shpëtoi më të keqes, operacionit, duke u riaftësuar në kohë, teksa u fol se rrezikonte qëndrimin jashtë për 2 muaj. Ai u aktivizua titullar për skuadrën e tij në ndeshjen e javës së dytë të Serisë B ndaj Peruxhias, duke rezultuar direkt protagonist, teksa ktheu në gol një penallti duke i hapur rrugën fitores 2-1.
Gëzim edhe për Amir Abrashin në Bundesligën 2 me Freiburgun, në sfidën e javës së 6-të, kundër Kaiserslaurenit. Skuadra e mesfushorit shqiptar ka fituar 2-0, teksa Abrashi ka qenë ai, që ka zhbllokuar shifrat, duke hapur serinë e golave me realizimin e tij të parë gjerman.