Medon Berisha ka shkëlqyer të dielën duke shënuar golin e radhës në Serie A e duke u shpallur si përfundim edhe lojtari më i mirë i ndeshjes ndaj Fiorentinës. Mesfushori i Kombëtares kuqezi realizoi golin vendimtar që i dha Lecces fitoren 0:1 në transfertë. Ky ishte goli i dytë sezonal për mesfushorin shqiptar, i cili po konfirmon formën e tij të lartë në elitën e futbollit italian, ku është shndërruar edhe në një titullar për formacionin puljez.
Berisha u aktivizua sërish nga fillimi dhe ishte protagonist absolut i sfidës, konkretisht në minutën e 23-të, kur shënoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë Lecces një fitore të artë. Përveç golit, mesfushori shqiptar u vlerësua për lojën e tij dinamike dhe kontributin në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Pas ndeshjes, ai u shpall “Lojtari i Ndeshjes” nga Serie A.
Forma e Berishës këtë sezon është në rritje. Kujtojmë që ky ishte goli i dytë i tij në Serie A për këtë edicion. Në vetëm pak javë, ai ka treguar se është një element kyç për Leccen. Mediat italiane e kanë cilësuar si një nga talentet më premtues të kampionatit, me mundësi të mëdha përmirësimi.