Më në fund! Broja pritet të kthehet në fushë këtë fundjavë

Sport

Armando Broja është pranë rikthimit në fushat e gjelbërta. Sulmuesi shqiptar ka lënë pas krahëve dëmtimin në tendinën e Akilit dhe ka nisur të stërvitet me shokët e skuadrës. Fillimisht u mendua se tekniku i Evertonit do ta grumbullonte sulmuesin për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Brentford, por duket se drejtuesit e klubit nuk duan të rrezikojnë, prandaj 23-vjeçari do të aktivizohet me skuadrën U21, që luan të hënën. Lojtari i Shqipërisë nuk është aktivizuar asnjë minutë këtë sezon me Evertonin, klub ku u huazua nga Çelsi gjatë merkatos së verës, por tashmë rikthimi në fushë është më pranë se kurrë. Ndërkaq, është mësuar se Everton nuk ka paguar asnjë paund për formulën e huazimit dhe do të nisë ta bëjë këtë vetëm pasi Armando Broja të bëjë debutimin. Për momentin, klubi paguan vetëm pagën prej 78 mijë paund në javë për futbollistin shqiptar. Ky i fundit shihet si një investim për të ardhmen në “Goodison Park” dhe Everton pritet të blejë në fund të sezonit kartonin e 23 vjeçarit për 30 milion paund.