Me ‘blof’-in ndaj Lyon, City thyen rekord të ri në Champions

Sport

city blof
Nisje aspak pozitive e Champions League për Manchester City-n, e konsideruar si favoriti kryesor të këtij edicioni nga kompanitë e basteve. Kampionët e Anglisë, jo vetëm befasuan me humbjen e pësuar brenda në shtëpi nga Lioni, por regjistruan edhe një rekord të ri negativ. Ata u bënë skuadra e parë angleze që humbin katër ndeshje radhazi në historinë e kompeticionit më të madh të futbollit kontinental për klube. Të besuarit e Guardiolas – i cili vuajti një pezullim – nuk patën forcën për të reaguar mjaftueshëm, pas dy golave të pësuar në pjesën e parë nga Cornet dhe Fekir. Goli i Bernardo Silvas ishte fare pak për Man.City, që nuk shmangu dot disfatën e radhës. Që në fakt ishte e fundit e një serie të nisur që në shkurt me ndeshjen e të tetave të finaleve me Bazelin, kur kampionët anglezë e pasuan fitoren 4-0 të takimit të parë me një humbje 2-1 në kthim, pa kompromentuar kalimin në cerekfinale. Aty ku pësuan dy humbje kundër Liverpulit: 3-0 në Anfield dhe 1-2 në Etihad. Rezultate këto që sollën eleminimin.

Lyon
Por seria e ndërprerë në sezonin e kaluar ka vijuar edhe me startin e këtij edicioni të ri të Champions League. Për më tepër, gjithcka erdhi në një ndeshje ku City vinte si favorit i padiskutueshëm, por në fushë shfaqi dobësi, veçanërisht në fazën mbrojtëse, pa mohuar gjithsesi meritat e Lionit që fiksoi suksesin e parë historik të një skuadre franceze në fushën e City, sa i takon Kupave të Evropës. “Ne ndiheshim nën kërcënim, sa herë që humbnim topin dhe ndonjëherë kjo bën të humbasësh edhe besimin”, pranoi Mikel Arteta, asistenti i Guardiolas. Tashmë, kampionët e Anglisë, befasisht e shohin veten pa asnjë pikë në mbyllje të ndeshjeve të para të grupeve, duke vendosur në rrezik edhe kualifikimin si vend i parë. Ndërsa, starti jo i mirë shqetëson edhe në prizmin e triumfit të shpresuar në finale, pasi për të gjetur një kampion evrope që humb ndeshjen e parë duhet të kthehesh në sezonin ’68-’69. Atëherë kur Milani thyhej 2-1 nga Malmo.