Telenovela e merkatos verore, që kishte në qendër Mërgim Mavrajn, mund të quhet e mbyllur. Përfundimisht, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka pranuar të luajë tek Arisi i Selanikut, klub me të cilin 32-vjeçari pritet të firmosë për 2 vjet. Në bazë të asaj që ka përcjellë faqja greke “thessports.gr”, “Aris mund të thuhet se ka vendosur “qershinë mbi tortë”, sa u takon përforcimeve të kësaj vere, duke arritur akordin me Mërgim Mavraj, shqiptarin që në këtë mënyrë do të forcojë qendrën e mbrojtjes së verdhezinjve selanikas. Faktikisht, lajmi u konfirmua për mediat greke nga vetë presidenti i Arisit, Theodor Karipidis, i cili në profilin e tij zyrtar në Instagram hodhi një foto të Mavrajt me klubin e tij të ri.
32-vjeçari prishi kontratën me Hamburgun, me mirëkuptim, pasi luajti 18 ndeshje sezonin e kaluar në radhët e skuadrës gjermane. Kjo është hera e parë që ai del jashtë Gjermanisë, përderisa më parë ka veshur edhe fanelën e klubeve të tilla si Këln, Greuther Furth, Bochum dhe Darmstadt. Mavraj është lojtar i ekipit kombëtar të Shqipërisë që nga viti 2012, ku ka luajtur 43 ndeshje, duke shënuar edhe 3 gola. Tek Arisi, Mavraj do të bashkohet edhe me shokun e tij të Kombëtares, Migjen Basha, i cili firmosi me grekët vetëm pak muaj më parë.