Teksa kemi lënë pas një sezon të jashtëzakonshëm në Champions League, me Real Madrid që u kurorëzua si mbreti i Europës, UEFA ka shpalosur formacionin me 11 lojtarët më të mirë të edicionit, të cilët dalluan mbi të tjerët në kompetionin më të lavdishëm për klube.
Real Madrid dhe Liverpool kryesojnë me nga 4 lojtarë në rreshtim, ndërsa nga një futbollist kanë PSG, Chelsea dhe Manchester City.
Në portë rreshtohet Thibaut Courtois, me belgun që zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme në finale, duke realizuar 9 pritje në total, e në fund u shpall edhe lojtari i ndeshjes.
Më tej, mbrojtja përbëhet nga Trent Alexander Arnold, Antonio Rudiger, Virgil van Dijk dhe Andy Robertson.
Në mesfushë, kryesojnë Kevin De Bruyne, Fabinho dhe Luka Modriç. Më tej, sulmi përbëhet nga Kylian Mbappe, Karim Benzema dhe Vinicius Junior. Mirëpo, këta dy të fundit, u vlerësuan edhe me nga një çmim tjetër nga qeveria e futbollit europian.
Benzema u shpall lojtari më i mirë i sezonit në Champions League. Francezi arriti të realizonte 15 gola në 12 ndeshje të luajtura, e po ashtu kontribuoi edhe me një assist. Përgjatë kësaj maratone, sulmuesi i qendrës ka vrapuar mesatarisht 10.13 km për çdo ndeshje të zhvilluar.
Sa i përket Vinicius Junior, braziliani fitoi çmimin si lojtari i ri më i mirë i sezonit në Champions League. Në 13 paraqitje, 21 vjeçari shënoi 4 gola dhe regjistroi 6 asist, teksa ka përshkruar 10.24 km për çdo ndeshje. Mirëpo, qershia mbi tortë, është finalja e madhe ndaj Liverpool, aty ku Vinicius shënoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë Realit titullin e 14-të të Champions League.