Mbyllet një sezon i jashtëzakonshëm në Serie A. Edicioni 2021/22 ishte i paparashikueshëm, spektakolar. Një garë dhe një rivalitet, që prej javës së parë, e deri në atë të fundit. Megjithatë, në mbyllje, vetëm një skuadër ka triumfuar. Ia doli Milani i Stefano Piolit, që u rikthye tek titulli pas 11 vitesh.
Për shumë ekipe, tashmë mund të ketë zhgënjim, sepse nuk kanë përmbyshur objektivat sezonalë, sikurse disa të tjera ia kanë dalë mbanë.
Në anën tjetër të Milanos, në atë të Interit, ndoshta, ndihet zhgënjim i madh, sepse nuk mundën të mbronin dot titullin kampion. Më tej, Napoli i vendit të 3-të, në rrugë e sipër pranoi që të kualifkohej në Champions League, misioni I sezonit quhej I kompletuar. Më tej, Juventusi, i pafuqishëm të rivalizonte më tepër, është mjaftuar me një vend të 4, që të siguron pjesëmarrjen në Champions League edicionin e ardhshëm futbollistik.
Dy rivalët e përjetshëm të kryeqytetit, Lazio dhe Roma, janë klasifikuar në vendin e 5-të dhe të 6-të, çka do të thotë se do marrin pjesë në Europa League.
Poshtë tyre është renditur Fiorentina, që do luajë në kualifikueset e UEFA Conference League. Nuk ia ka dalë dot Atalanta, që për herë të parë pas disa edicionesh mbetet jashtë çdo kompeticioni europian.
Këtë sezon, një betejë të vërtetë pati edhe për mbijetesën. Venezia dhe Genoa ishin 2 skuadrat që u dorëzuan më shpejtë se të tjerat, ndërsa Cagliari dhe Salernitana luftuan deri në javën e fundit. Ia doli të mbijetonte Salernitana, që edhe pse u mposht nga Udinese, u favorizua nga barazimi pa gola i Cagliarit në transfertën e Venezias.