Mbyllet pa fitues ndeshja mes Romës dhe Juventusit. Në “Olimpico”, sfida përfundoi 1-1 dhe ishte e vlefshme për javën e 31 të Serie A. Të parët që kaluan në avantazh, ishin miqtë, rreth fundit të pjesës së parë. Konkretisht në minutën e 40, Manuel Locatelli zhbllokoi rezultatin.
Të paktën që nga edicioni 1994/95, Loçatelli është vetëm mesfushori i tretë i Juventusit që shënon më tepër se një gol ndaj Romës në transfertë. Diego dhe Nedved janë dy lojtarët e tjerë të përfshirë në një statistikë të tillë.
Por, me rikthimin në fushë, aktivizimi i Shomurodov rezultoi i suksesshëm për verdhekuqtë, me këtë të fundit që e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 49-të.
Pas një momenti të tillë, u duk sikur të dyja skuadrat menduan më tepër të mos pësonin, sesa të shënonin golin e fitores.
Roma, tashmë është e pamposhtur prej 15 ndeshjesh radhazi në Serie A, për herë të parë që nga viti 2016-të, atëherë kur në krye të ekipit ishte Luçiano Spalletti.
Si pasojë, skuadra e drejtuar nga Claudio Ranieri është në kuotën e 53 pikëve, në vendin e shtatë. Sa i përket Juventusit, Zonja ka 53 pikë, 3 më tepër sesa Roma.
Deri në fund të sezonit, kanë mbetur edhe 7 javë të tjera dhe mbetet për t’u parë se në çfarë pozicioni do të klasifikohen të dyja skuadrat në fjalë.