Mbyllet pa fitues ndeshja mes Interit dhe Napolit

Sport

S’ka fitues në kryendeshjen e javës së 12 të kampionatit italian, mes Interit dhe Napolit. Takimi i luajtuar në San Siro përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1, me të dyja skuadrat që patën mundësitë e tyre për të shënuar edhe golin e fitores, por pa ia dalë dot mbanë. Të parët që kaluan në epërsi, ishin napoletanët, në minutën e 23 të pjesës së parë. Autori i golit për skuadrën e drejtuar nga Antonio Conte, rezultoi të ishte Scot McTominay. Kur fraksioni i parë po i drejtohej fundit, në të 43-tën, Hakan Çalhanoglu shpiku një kryevepër një repertori i tij. Gjuajtja nga distanca e mesfushorit ishte e pakapshme për portierin Alex Meret, i cili nuk mundi t’ia ndërronte dot udhën topit. Në pjesën e dytë, momenti më kulminant arriti në minutën e 74, kur nga pika e bardhë e penalltisë Çalhanoglu pati një tjetër rast për të shënuar golin e avantazhit për Interin. Mirëpo, këtë herë, turku gaboi në ekzekutimin e 11 metërshit. Kjo ishte penalltia e parë e humbur e mesfushorit me fanellën zikaltër nga 20 të gjuajtura në të gjitha kompeticionet. Më tej, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja ekipet, në fund, gjithçka u mbyll në barazim 1-1. Napoli mbetet në krye të Serie A me 26 pikë, por deri në vendin e 6, diferenca me vendin e parë është vetëm dy pikë. Kështu që gara për titullin kampion në Itali, këtë sezon, premton se do të jetë spektakolare përgjatë gjithë vitit futbollistik.