Mbyllet pa fitues ndeshja mes Atalantës dhe Juventusit, e vlefshme për javën e 19 të Serie A, e prapambetur për shkak të angazhimit në Superkupë. Sfida e luajtur në Bergamo përfundoi me rezulatatin 1-1. Episodet më të rëndësishme të takimit ndodhën në pjesën e dytë, teksa të parët që kaluan në avantazh, ishin bardhezinjtë, në minutën e 54 me anë të mbrojtësit Peirre Kalulu.
Nga një moment i tillë, trajneri Gianpiero Gasperini vendosi të bënte disa ndërrime në skuadër dhe duhet thënë se lëvizjet funksionuan. i ardhur nga stoli, Mateo Retegui e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 78, duke rikthyer kësisoj balancën e rezultatit. Më pas, me kohën që kishte mbetur në dispozicion, të dyja skuadrat u përpoqën të shënonin golin e epërsisë, por nuk ia dolën dot mbanë, ndonëse mundësitë nuk munguan. Ky ishte barazimi i tretë radhazi për Atalantën dhe i katërti përgjatë këtij kampionati. Si pasojë, ekipi bergamask numëron 43 pikë dhe ka zbritur në vendin e tretë, 4 më pak sesa kreu që mbahet nga Napoli.
Mirëpo, skuadra që nuk po i shpëton dot sindromës së barazimeve, është Juventusi. Në 20 javë kampionat, Zonja e Vjetër numëron 13 barazime dhe vetëm 7 fitore, ndonëse mbetet ende pas asnjë humbje. Një bilanc i tillë, ka bërë që skuadra bardhezi të renditet në vendin e 5 në kuotën e 34 pikëve, 13 më pak nga Napoli kryesues. Në krahasim me një vit më parë, në të njëjtën fazë të Serie A, Juventusi numronte 15 pikë më shumë dhe ishte në garë për titullin kampion. Këtë herë, Zonja e Vjetër, të paktën duke u nisur nga renditja e tanishme, nuk mund të synojë dot përtej zonës Champions. Sa i përket javës së ardhshme, për të dyja skuadrat në fjalë, do të kenë një calendar të vështirë. Atalanta pret në shtëpi Napolin, kurse Juventusi pret Milanin.