Mbyllet në barazim derbi mes Lazios dhe Romës

Sport

Mbyllet pa fitues derbi i kryeqytetit të Italisë mes Lazios dhe Romës. Dueli, i vlefshëm për javën e 32 të Serie A, përfundoi me rezultatin 1-1, me të dyja skuadrat, që në fund, u ndanë me vetëm nga një pikë.

Pas një pjese të parë, të luftuar më tepër nga të kaltërit, por që u mbyll me rrjeta të paprekura, episodet më të rëndësishme të sfidës do të ndodhnin në fraksionin e dytë. Vetëm 2 minuta pas rikthimit në fushë, Alessio Romagnoli gjuajti saktë me kokë, duke shënuar golin e parë të takimit. Ishte radha e Romës për t’u përgjigjur, diçka që në fakt ndodhi. Në minutën e 69, Matias Soule, realizoi një gol të përkryer nga jashtë zonës. Gjuajtja e tij me të majtën, rezultoi e pakapshme për portierin Christos Mandas. Rezultati u barazua 1-1, e mbeti i tillë deri në vërshëllimën e fundit.

Si  pasojë e një barazimi të tillë, Lazio zbriti në vendin e 6 në kuotën e 56 pikëve, 3 pikë larg zonës Champions. 54 pikë ka Roma, që gjithashtu është tërësisht në garë për një vend në Champions League. Ndonëse kanë barazuar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, verdhekuqtë vijojnë të jenë të pamposhtur në 16 takime radhazi në Serie A. Humbja e fundit e Romës në kampionat është regjistruar në 15 Dhjetor të 2024-tës, 2-0 në fushën e Comos. Që prej atëherë, eikipi i drejtuar nga Claudio Ranieri ka bërë një ecuri vërtet fantastike, me 11 fitore dhe 5 barazime.

Në javën e ardhshme, Lazio do të luajë ndaj Genoas në transfertë, kurse Roma pret Veronën në shtëpi.