Mbyllet merkato në Angli, Tottenham e Arsenal mbi të tjerët !

Sport

Merkato në Angli është mbyllur dhe skuadrat e ‘Premier League’ nuk do të kenë më mundësi të përforcohen, teksa u lejohet vetëm shitjet e lojtarëve. Rezultatet përfundimtare të kësaj merkatoje verore ka sjellë jo pak surpriza në ishull, me Tottenham dhe Arsenal që vlerësohen si klubet me merkaton më të mirë.
Nënkampionët e Europës kanë bërë shpenzime kolosale gjatë kësaj vere, ndryshe nga ajo që ndodhte një vit më parë, ku nuk u afrua asnjë lojtari i ri. Drejtuesit e ‘Spurs’-ave kanë bërë punë të mirë, teksa kanë nënshkruar me argjentinasin Giovani Lo Celso nga Betis, i cili vjen si huazim me të drejtë blerje për 60 milionë euro.
Dy blerje të tjera me bujë të Tottenham janë edhe Tanguy Ndombele, i ardhur nga Lyon për 60 milionë euro plus bonuset dhe talenti Ryan Sessegnon, i transferuar nga Fulham për 27 milionë euro. Skuadra tjetër e Londrës veriore, Arsenali arriti të nënshkruajë me Nicolas Pepe, për shifrën rekord për klubin anglez prej 80 milionë eurosh.
U sigurua edhe huazimi i Dani Ceballos për një sezon nga Real Madrid, ndërsa në orët e fundit u arrit marrëveshja për Kieran Tierney të Celtic për 27 milionë euro dhe David Luiz, që erdhi nga Chelsea për 9 milionë euro. ‘Blutë’ e Londrës nuk mund të bënin blerje, por i gëzohen paraqitjeve të mira të Christian Pulisic, i cili pati firmosur që në janar.
Manchester United bëri Harry Maguire mbrojtësin më të shtrenjtë, pasi e blenë nga Leicester për 87 milionë euro, ndërsa u transferuan edhe sulmuesi Daniel James nga Swansea për 17 milionë euro apo Aaron Wan-Bissaka për 55 milionë euro nga Crystal Palace, të cilët nuk duket të kenë rritur shumë cilësinë e grupit.
Ndërkohë rivalët e qytetit, kampionë në fuqi të Manchester City afruan në skuadër spanjollin Rodri, i cili pritet të zëvendësoj David Silvan, që ka lajmëruar largimin nga ‘citizens’ në sezoni e ardhshëm. Liverpooli ndërkohë nuk ka qenë aspak aktive gjatë kësaj merkatoje, gjithësesi ‘the reds’ kanë një grup të kompletuar, që këtë vit do të zbresin në fushë si kampionët e Europës.