Mbyllet ëndrra e Partizani në Europë

Sport

Ëndrra e Partizanit për t’u kualifikuar në grupet e UEFA Conference League është ndërprerë në mes. Nuk ka zgjatur dot më tepër sesa faza play-off rrugëtimi i demave të kuq, të cilët janë dorëzuar përballë skuadrës së Astana.

Pasi fillimisht u mposhtën 1-0 në Kazakistan, humbje që gjithësesi la mjaft vend për optimizëm, në Elbasan, kampionët e Shqipërisë nuk mundën të shkonin dot përtej rezultatit 1-1.

Pavarësisht se demat kaluan të parët në epërsi në minutën e 25-të me anë të Bintsouka, ekuilibrat u rikthyen sapo nisi pjesa e dytë. Në të 46-tën, Tomasov shkundi rrjetën për miqtë, gol që kishte vlerën e kualifikimit në fazën e grupeve të Conference League për Astanën.

Në krahun tjetër, mbyllet me kaq rrugëtimi i Partizanit në Europë, rrugëtim që fillimisht nisi me eliminatoret e Champions League dhe përfundoi me ato të Ligës së Konferencës.

Sidoqoftë, ndonëse nuk mundi të shkruante dot historinë, Partizani mbushi arkat me të ardhura të konsiderueshme. Duke llogaritur shitjet e lojtarëve që nga merkatoja e Janarit të këtij viti, e gjithashtu edhe të ardhurat nga turret europiane, Partizani ka arrkëtuar rreth 4 milionë euro në total përgjatë vitit 2023.

Në kushte si këto, vëmendja e kampionëve të Shqipërisë tanimë do të përqendrohet vetëm në Superiore, atje ku do të përpiqen maksimalisht të mbrojnë titullin kampion, me në krye trajnerin Zoran Zekiç.