Në mungesë të Mavrajt dhe Hysajt, por duke parë edhe Canën që nuk po aktivizohej me Lazion, u mendua që mbrojtja kuqezi do të pësonte një thes me gola në dy ndeshjet e shtatorit, në atë me Danimarkën dhe me Portugalinë.
Pavarësisht se u mor vetëm një pikë në dy ndeshje, Kombëtarja kuqezi pësoi si përfundim vetëm një gol. Edhe ai madje i ardhur jo brenda 90 minutave të kohës së rregullt.
Një nga pikat më të forta, pa dyshim ishte kapitenit Lorik Cana, i cili sidomos në ndeshjen e luajtur në Kopenhagen ndaj Danimarkës, u tregua dy herë vendimtar. Por edhe me Portugalinë, në mjaft momente rezultoi vendimtar, duke u treguar një lider në prapavijën kuqezi.
Jo më kot, mediat e huaja i kanë kushtuar rëndësi lojës së Canës. Natyrisht, në fokus e kanë vendosur sidomos mediat franceze, saktësisht “Eurosport”, që ka lëshuar fjalë të mira për kapitenin kuqezi Sipas asaj që shkruan , Nantes, duhet të jetë i lumtur që në radhët e veta do të ketë një 31-vjeçar që të jep shumë siguri në prapavijë, por edhe si mesfushor shkatërrues. “Lojtari i Nantes ndali Cristiano Ronaldon”, ishte titulli i ‘butfootball.fr’, që shton më tej “Nantes të jetë e kënaqur që ka marrë Canën”. “Kapiteni shqiptar ishte i pranishëm në çdo moment në repartin mbrojtës, duke ndalur në mënyrën më të mirë CR7-në”, shkruan në analizën e vet “Eurosport”.
Kujtojmë që Lorik Cana nuk ka debutuar akoma me Nantes, kjo për faktin se ai ka nënshkruar në ditën e fundit të mbylljes së merkatos dhe menjëherë ka qenë i detyruar të ikte në grumbullimin me ekipin kombëtar në Treviso të Italisë.