Mbrëmja magjike e Mbappe, rekorde dhe elozhe për kampionin e botës

Sport

PSG ka dhuruar një nga performancat më të mira të historisë së klubit në fitoren 1-4 ndaj Barcelonës në ‘Camp Nou’, por sigurisht që vëmendja është ndalur kryesisht tek një emër i vetëm; Kylian Mbappe. Sulmuesi francez përjetoi një mbrëmje të jashtëzakonshme, duke shënuar një tripletë ndaj katalanasve dhe duke qenë vrastar me thuajse çdo prekje të topit. Mbappe u bë vetëm lojtari i tretë që realizon një tripletë ndaj Barcelonës në ‘Champions League’ dhe i pari në histori që e bën këtë në një ndeshje të fazës me eleminim direkt të këtij kompeticioni. Në fakt, i vetmi që ka realizuar të paktën dy gola në transfertë ndaj Barcelonës në këtë fazë, është Ferenc Puskas, që e bënte diçka të tillë në sezonin e largët 1959/1960, kur luante për Real Madrid. Sigurisht, Puskas ishte i vetmi që e kishte bërë diçka të tillë deri mbrëmjen e këtij 16 shkurti, ku Mbappe i provoi botës se tani në futboll ka nisur një epokë e re. Vetëm 22-vjeçar, në fazën me eleminim direkt të ‘Champions League’-ës, Mbappe numëron tani 8 gola të shënuar, çfarë e rendit së bashku me Zinedine Zidane në vendin e tretë të golashënuesve francezë. Më mirë se ta, kanë bërë vetëm Henry me 12 gola apo Benzema me 18. Me fanellën e PSG, kampioni i botës tani regjistron plot 110 gola të shënuar, duke u kthyer në golashënuesin e tretë më të mirë të historisë së klubit. Me tripletën në ‘Camp Nou’ ai parakaloi Pauleta-n, ndërsa përpara qëndrojnë vetëm Zlatan Ibrahimovic dhe Edinson Cavani. Në Spanjë, të gjitha mediat e pranuan humbjen e rëndë të katalansve, si të merituar, por të përditëshmet theksonin faktin se ishte Mbappe ai që bëri diferencën. I shpejtë, i fortë fizikisht, prekje klasi të topit dhe goditje prej fenomeni… Mbappe ishte si i poseduar nga diçka mbinatyrore mbrëmjen e 16 shkurtit, ku i provoi botës se tani, ka ardhur momenti që ai të jetë numri 1.