Kylian Mbappe ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm teksa është zgjedhur si lojtari i vitit në ‘Ligue 1’ për sezonin 2018/2019. Ylli i PSG ka bërë një sezon mjaft të mirë me skuadrën e tij, ku në 42 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ai ka shënuar 38 gola dhe ka shërbyer 17 asiste. Por ato që kanë bërë më shumë lajm kanë qenë deklaratat e fundit të 20-vjeçarit, i cili ka hedhur dyshime rreth të ardhmes së tij tek PSG. Mbappe u shpreh se ka mësuar jo pak gjatë 2 sezoneve të fundit dhe mendon se është gati të marrë më shumë përgjegjësi mbi skuadrën. Kampioni i botës shpreson që të tilla përgjegjësi t’i marrë tek PSG, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë ai do ta kërkojë tek një aventurë e re.
Deklarata këto që mund të ndezin interesimin e skuadrave të mëdha për Mbappe, që në rast se vendos të largohet, kjo do të ndodhë vetëm për një shifër rekord që tejkalon 222 milionë eurot e paguara për Neymar. Mbappe pranoi më tej se një nga zhgënjimet më të mëdha është eleminimi i hershëm nga ‘Champions League’-a, kompeticion që duket se vazhdon të mundojë kampionët e Francës. Sa i përket deklaratave të tij për një largim të mundshëm nga PSG, 20-vjeçari i cilësoi thjesht si një mesazh që ai kërkoi t’ja jepte drejtuesve të tij, ndërsa refuzoi të fliste më tepër për këtë pjesë.