“Kylian, mirësevjen në klub. Eshtë bukur të kesh më në fund pak shoqëri!”. Janë këto fjalë, që vijnë nën firmën e Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pelé. Ai, Zoti i futbollit, që tani duket se zgjedh një nga dishepujt e tij. Francezin, që me topin dhuroi magji në Botëror. Por mbi të gjitha, në Rusi u bë adoleshenti i dytë i historisë që shënon në finalen e një Kupe Bote. 19 vjeç e 207 ditë në pasaportën e yllit të vogël të Francës. Ndërkohë që 17 vjeç e 249 ishin ato të vitit ’58, në skedën anagrafike të Pele’, i lindur rreth 60 vjet përpara fenomenit të Paris SG. Por që tashmë i është bashkuar në “klubin e më të rinjve” të Kupës së Botës.
Përmes një mesazhi në Tëitter, edhe me pak shaka, braziliani ka përgëzuar talentin francez: “Nëse Mbappe vazhdon të arrijë rekordet e mia, do të më takojë të rinxjerr këpucët dhe të kthehem në fushë…”, ka shkruar O’Rei, që në Rusi shikoi dështimin e Neymar, por nuk ka përcmuar talentin e shokut të tij të skuadrës në Paris. Ai që me fitoren në Moskë, u bë edhe lojtari i katërt më i ri i historisë që fiton një Botëror. Numra vërtet që duket se mund t’i arrinte vetëm një si Mbappe, i cili u bë edhe lojtari i dytë i Ligue 1 në Francë që shënon në një finale të Botërorit që prej ’66-tës. E sa i takon kampionatit francez, Mbappe duket se s’ka ndërmend ta tradhtojë. “Jam krenar që i bëra të lumtur francezët me këtë sukses në Botëror. Luajmë edhe për gjëra të tilla. E ardhmja? Nuk do të lëviz nga Paris SG”, ka prerë shkurt njeriu, që pas titullit botëror me “gjelat” francezë, ka rindezur më shumë se kurrë edhe interesimin e Real Madridit, kampion të Evropës.