PSG po i vendos të tjera standarte sezonit të ri në Francë. Në javën e 3-të, kampionët e Ligue 1, çmontuan skuadrën e Lille me rezultatin 7-1. Messi, Neymar dhe Mbappe, këtë herë po tregojnë një nivel të jashtëzakonshëm. Pavarësisht se për ta është raportuar që kanë mosmarrëveshje në dhomat e zhveshjes, në fushën e lojës, yjet në fjalë, kanë treguar tërësisht të kundërtën.
Kishin kaluar vetëm 8 sekonda nga nisja e lojës, kur Mbappe, i asistuar nga Messi, e dërgoi topin në fundin e rrjetës. Ky ishte goli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë në historinë e kampionatit francez. Më pas, 23 vjeçari do të shënonte edhe 2 gola të tjerë, duke bërë të mundur vendosjen e një tjetër rekordi historic. Që pas vitit 2000, Mbappe ka shënuar 139 gola në Ligue 1, më shumë sesa çdo lojtar tjetër, duke parakaluar në këtë mënyrë Edinson Cavanin që ishte ndalur në kuotën e 138 finalizimeve.
Më tej, Dopietë realizoi edhe Neymar, ndërsa Messi dhe Hakimi firmosën me nga një gol.
Dëmi që PSG shkaktoi në fushën e Lille ishte kolosal. Mjafton të përmendim këtu, që Lille, nuk kishte pësuar asnjëherë 7 gola në shtëpi përgjatë historisë së klubit. Ky është një tregues, se PSG është pretendenti i vetëm për titullin kampion në Francë, ndërsa skuadrat e tjera janë thjesht pjesëmarrëse dhe e kanë gati-gati të pamundur të konkurojnë për trofeun më prestigjoz të futbollit francez për klube.