PSG ka fituar një nga sfidat më të rëndësishme të javës së parë në fazën e grupeve të ‘Champions League, teksa mposhti 2-1 Juventusin e Massimiliano Allegri-t. Kylian Mbappe dhe Gigio Donnarumma ishin padyshim dy heronjtë kryesorë të kampionëve të Francës në këtë përballje. I pari ishte autor i dy-golëshit që i dha avantazhin e dyfishtë skuadrës së tij, ndërkohë që Donnarumma bëri disa pritje mjaft vendimtare, sidomos pas golit të Juventusit, duke i dhënë 3 pikë me peshë francezëve. Loja nisi me një ritëm të mirë për PSG, që menjëherë u hodh në sulm dhe gjeti dy gola në harkun e 22 minutave. Juventusi po haste vështirësi për të reaguar dhe goli i vetëm për ta do të vinte në fillimin e pjesës së dytë, me Ëeston McKennie që finalizoi saktë. Allegri u përpoq të krijonte një skuadër më sulmuese në fundin e takimit, por PSG rezistoi si duhet dhe shpërbleu tifozët e pranishëm në ‘Parc des Princes’. Për torinezët, kjo ishte vetëm hera e dytë në 23 pjesëmarrje në ‘Champions’, që humbasin ndeshjen e parë të sezonit. Diçka e tillë kishte ndodhur vetëm në 2017-ën, kur mundeshin nga skuadra e Barcelonës.
Në takimin tjetër të grupit H, Benfica ia doli të kalonte 2-0 Maccabi Haifan. Portugezët nuk e patën dhe aq të lehtë të gjenin rrugën e rrjetës, pavarësisht volumit të lojës dhe rasteve të krijuara. Goli hapës do të vinte vetëm në minutën e 50, falë të zakonshmit Rafa Silva. Ndërkohë që 4 minuta më pas, do të ishte Alex Grimaldo që do të bënte të shpërthente festa në ‘Da Luz’, me Benfica-n që tashmë udhëheq grupi H, së bashku me PSG, por të avantazhuar nga numri i golave.