Mbappe flet me elozhe për Liverpool-in e Jurgen Klopp, por nuk zbulon asgjë rreth të ardhmes

Sport

Kylian Mbappe ka treguar edhe gjatë 2019/2020-ës se mbetet një ndër yjet e rinj që pritet të dominojnë futbollin në vitet pasardhëse. Sulmuesi i PSG ka realizuar 30 gola dhe ka shërbyer 17 asiste në 33 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij sezoni, duke u renditur mes më të mirëve të botës në rolin e tij. Francezi është shprehur se forma e mirë e tij vjen edhe për meritë të asaj që skuadra e PSG ka dhënë në fushë, pasi e ndjen veten shumë mirë me shokët e ekipit dhe me sistemin e trajnerin Thomas Tuchel. Megjithatë, Mbappe thotë se kampionët e Francës mund të përmirësohen ende. Ai mori shembullin e Liverpool-it të Jurgen Klopp, që e krahasoi me një ‘makineri’ perfekte. Kampioni i botës nuk i ka kursyer asnjëherë elozhet për atë që Liverpool-i ka arritur gjatë këtij sezoni në ‘Premier League’. Mbappe theksoi se të fitosh aq shumë në një kampionat aq të vështirë sa ai anglez, është një sinjal i qartë se ‘the reds’ janë skuadra më e kompletuar e momentit. Puna e bërë nga Klopp mund të shihet qartësisht si një shembull i mirë për të gjitha klubet e mëdha e të vogla, të cilat kërkojnë të zhvillojnë lojën e tyre në një mënyrë të balancuar. Por pavarësisht këtyre elozheve, Mbappe nuk duket se e ka menduar një transferim tek ‘the reds’. I pyetur rreth të ardhmes së tij, sulmuesi i PSG nuk zbuloi asgjë, duke mos komentuar as zërat e shumtë që e lidhin gjithnjë e më shumë me një transferim tek gjigandët spanjollë të Real Madrid. Sa i përket Liverpool, drejtuesit anglezë duket se shohin Timo Werner si një objektiv më të arritshëm në merkato, prandaj mendohet se synimi kryesor i verës për ta, do të jetë pikërisht sulmuesi i Leipzig dhe i kombëtares gjermane.