Edhe pse fundjava shënoi rikthimin e Neymarit në fushë, protagonist nuk ishte ai për PSG-ën. Tjetërkush shënoi tre gola dhe tjetërkush ishte lajmi kryesor për të gjitha mediat. Kylian Mbappe u bë këtë fundjavë lojtari i parë që shënoi 30 gola në një sezon të Ligue 1 që prej kohës së Jean-Pierre Papin, që e arrinte këtë shifër në sezonin 89-90. Pra asokohe Mbappe nuk kishte lindur ende. Fitorja dhe ndalesa e Lille nënkuptoi se PSG u shpall këtë fundjavë kampione, por përtej këtij fakti lajm bëri më së shumti deklarata e Mbappes se ai nuk do të largohet.
20-vjecari është përfolur prej kohësh si një nga synimet e merkatos së Zizou-së te Reali i Madridit. Prej faktit se ai e ka pasur idhull Zidane-in, Mbappe konsiderohej gjithmonë i dyzuar, të paktën deri këtë fundjavë. Duke folur për Canal+ sulmuesi kampion bote tha se e simpatizon Realin e Madridit por që është thellësisht i përfshirë te projekti i PSG-ës dhe nuk do të largohet. “Jam i gëzuar që Zizou është kthyer sërish te Reali i Madridit, do t’i shoh gjithmonë ndeshjet e tij, pasi e admiroj, por do t’i shoh thjesht si fans, pasi nuk do të largohem” ka thënë sulmuesi 20-vjecar, për të cilin PSG i pagoi Monacos 180 milionë euro. Që pas transferimit në Paris, ai ka shënuar plot 57 gola dhe 32 asiste në 84 ndeshje të luajtura.