Dilemat e Mërgim Mavrajt në lidhje me të ardhmen e tij janë drejt fundit. Që pas largimit nga Hamburgu, mbrojtësi është në kërkim të një skuadre. Së fundi, ai ka pranuar se “është në bisedime me klube në Itali, Greqi dhe Gjermani, mirëpo duket se konkretisht është afër një skuadre greke. Dhe bëhet fjalë për Arisin e Selanikut, aty ku Mavraj do të bashkohej me shokun e përfaqësueses, Migjen Basha, i tranferuar vetëm përara një muaji. Mësohet se është pikërisht Basha, që ka hyrë “mik” për ta bindur, pasi aktualisht 32-vjecari nuk është i bindur me rrogën që i ofrohet nga ana e ekipit grek.
Këto ditë pritet të jenë vendimtare, teksa Mavraj do të duhet të zgjidhë përfundimisht skuadrën në të cilën do të luajë në të ardhmen. 32-vjeçari nuk kaloi një sezon të mirë, pasi u mënjanua nga drejtuesit e Hamburgut, duke mbetur praktikisht 6 muaj pa luajtur. Si përfundim, në mbyllje të sezonit të kaluar, ai prishi kontratën me mirëkuptim me gjermanët. Shumë është folur në këtë periudhë për skuadrat që e kërkojnë, duke nisur që nga ekipet turke e deri te Deportivo La Korunja në Spanjë. Megjithatë, vetë lojtari e ka pasur të vështirë për t’u bindur. Mbetet të shihet nëse këtë herë Basha do të arrijë ta bëjë që të firmosë me grekët.