Mavraj, ridel në skenë pista turke

Sport

mergim
Mërgim Mavraj mbetet ende në kërkim të një sistemimi për të ardhmen. Lojtari, i cili shkëputi kontratën me Hamburgun, mund të transferohet me parametër zero në çfarëdo skuadre. Mirëpo duket se nuk ka vendosur se cfarë do të bëjë dhe vijon të mbetet në ajër. Megjithëse nuk kanë munguar kontaktet me klube të shumtë, si sa i takon kampionateve në Evropës, ashtu edhe në Arabinë Saudite. Tashmë mund të thuhet se për 32-vjeçarin ka dalë në skenë një variant i ri në Turqi, pasi për të është interesuar klubi i Burasporit, që është i gatshëm të përforcohet me afrimin e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare. Bursaspor është një skuadër e mesit të renditjes, që synon që në këtë edicion të luftojë për zonën e Kupave të Evropës dhe të rikthehet në arenën ndërkombëtare, ku mungon që nga viti 2014.

mavraj
Nga sa thuhet prej burimeve afër lojtarit, midis tij dhe klubit turk ka pasur madje edhe negociata konkrete, por për momentin nuk është konkretizuar ende asgjë. Ndërkaq, mbrojtesi është duke u stërvitur individualisht në mënyrë që të mos ketë probleme të formës fizike, kur të vendosë për të shkuar në klubin e tij të ri. Gjithsesi për momentin, duket se do ta ketë shumë të vështirë, jo vetëm të gjejë skuadër, por edhe të jetë pjesë e përfaqësueses së Panuccit për sfidat e radhës në Ligën e Kombeve, kundër Izraelit dhe Skocisë.