Joao Felix do të rikthehet tek Atletico Madrid. Në Janarin e këtij viti, sulmuesi u huazua në radhët e Chelsea dhe optimizmi ishte i madh se klubi londinez do të blinte përfundimisht edhe kartonin e lojtarit. Mirëpo një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Lajmin e ka konfirmuar vetë president ii Atleticos, Enrique Cerezo.
Trajneri i ri i Chelsea, Mauricio Pochettino, nuk e ka në planet e tij yllin portugez, e për këtë arsye, ky i fundit do të rikthehet edhe një herë tjetër në Madrid.
Në marrëveshjen e huazimit mes klubeve, nuk kishte klauzolë blerjeje me detyrim, por shpresat ishin të mëdha që Chelsea do e hidhte një hap të tillë, në përpjekje për të gjetur njëkohësisht edhe një marrëveshje me Atleticon. Për ta lënë të lirë lojtarin, Rojiblancos kërkonin të paktën 80 mln euro, shumë që nga Chelsea konsiderohej e lartë.
Megjithatë, me ardhjen e Pochettinos, situata ndryshoi tërësisht dhe kjo temë tashmë konsiderohet e mbyllur në “Stamford Bridge”.
Sakaq, kontrata e Joao Felix me Atleticon përfundon në verën e 2027-tës, por qëndrimi i tij në Estadio Metropolitano duket thuajse i pamundur. Portugezi nuk gëzon një raport të mirë me trajnerin e skuadrës, Diego Simeone, e për këtë arsye, transferimi në një tjetër klub në merkaton e verës, do të ishte zgjidhja më e mirë për seculën palë.
Sa i përket aventurës gjysmëseoznale të Felix me Chelsean, 23 vjeçari u aktivizua 16 ndeshje në Premier League, teksa arriti të shënonte vetëm 4 gola. Për huazimin e tij, klubi londinez pagoi 11 mln euro në arkat e Atleticos, plus edhe pagesën e plotë të lojtarit.