Matthijs De Ligt rrëfehet për aventurën tek Juventus; zbulon pse pranoi kalimin në Torino

Sport

Matthijs De Ligt është tashmë një lojtar i Bayern Munich dhe mbrojtësi holandez e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën bavareze, duke bërë performanca mjaft të mirë në ndeshjet miqësore. Shtatlarti u transferua nga Juventusi në këtë merkato verore, çfarë i kushtoi Bayern plot 67 milionë euro, por duke llogaritur edhe bonuset, kjo shifër shkon në 80 milionë. De Ligt ka vendosur të rrëfehet për aventurën e tij tek Juventusi, duke zbuluar edhe arsyet se pse 3 vite më parë, zgjodhi bardhezinjtë pas largimit nga Ajaksi. 22-vjeçari tregoi se një nga arsyet kryesore që e bënë të zgjidhte klubin torinez, asokohe ishte edhe trajneri Maurizio Sarri. De Ligt thotë se kampionati italian konsiderohet gjithnjë si vendi i duhur për një mbrojtës, por ai kërkonte të luante në një skuadër që kishte dëshirën për një futboll ofensiv. Këtë ja mundësonte një trajner si Sarri, por që për fatin e keq, ai do të qëndronte në krye të stolit të Juventusit vetëm për 1 vit.

De Ligt nuk pendohet për atë zgjedhje të bërë në verën e 2019-ës, duke thënë se tek bardhezinjtë ka mësuar shumë gjëra të rëndësishme për karrierën dhe jetën e tij. Një nga gjërat që e kanë vendosur në vështirësi De Ligt tek Juventusi, ka qenë edhe pozicionimi i tij. Holandezi tregoi se nuk është ndjerë në më të mirën e tij në vitin e dytë apo të tretë në Torino. Kjo, sepse shpesh i duhej të luante si një qendër e majtë, teksa vetë De Ligt prefereon të luajë si një qendër e djathtë, aty ku ndihet edhe më i sigurtë. Megjithatë, pozicionimi në role të ndryshme në fushën e lojës mbetet një gjë e rëndësishme për të, sepse tani ka aftësinë të ndihmojë trajnerin dhe skuadrën e tij aty ku është më shumë e nevojshme. Tek Bayern, De Ligt thotë se synon të fitojë trofe të rëndësishëm, ku veç titullin dhe ‘Kupës’ së Gjermanisë, shpreson të shtyjë deri në fund edhe në elitën e futbollit europian, ‘UEFA Champions League’.