PSG duket e kanë fituar betejën në merkato sa i përket transferimit të talentit të Ajaksit, Matthijs De Ligt. Raportimet e fundit nëpër media flasin se agjenti i lojtarit, Mino Raiola, ka qenë të martën në Paris ku është takuar me drejtues të kampionëve të Francës, në lidhje me disa detaje të kontratës. Madje spekulimet shkojnë më tej duke thënë që De Ligt do të firmosë marrëveshjen me PSG brenda 1 jave, sapo Raiola të mbyllë takimet me drejtorin e PSG, Antero Henrique. Nëse të gjitha gjërat shkojnë sipas planit, atëherë kampionët e Francës do të mposhtin konkurencën e fortë të Barcelonës dhe Manchester United, që prej kohësh kanë bërë përpjekjet e tyre për të firmosur me talentin që i mahniti të gjithë gjatë sezonit që lamë pas. Një armë plus e PSG në këtë aspekt flitet të ketë qenë Leonardo, i cili pritet të rikthehet me rol drejtuesit tek francezët, e që ka shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me Mino Raiolan. Në rast të një marrëveshjeje me PSG, De Ligt u pëfol se do të bëhej adoleshenti më i paguar në futbollin botëror, me një pagë prej 350 mijë paundësh në javë. Megjithatë, në Francë raportojnë se këto janë spekulime dhe se lojtarit nuk do t’i ofrohet më shumë se 256 mijë paundë në javë. 19-vjeçari pati një sezon të shkëlqyer me fanellën e Ajaksit, ku veç triumfeve në kampionat dhe kupë, arriti edhe deri në gjysmë-finalet e ‘Champions League’-ës. De Ligt gjithashtu ka zënë një vend të rëndësishëm edhe në formacionin e Holandës, ku ka formuar një partneritet mjaft të mirë me Virgil Van Dijk.