Matthijs de Ligt: Bayerni ka më shumë ambicie sesa Juventusi për të fituar Champions League

Sport

Që prej momentit kur është transferuar në Gjermani, Matthijs de Ligt, vazhdon të flasë për diferencat që ekzistojnë mes Bayern Munich dhe Juventusit. Së fundmi, mbrojtësi i qendrës është shprehur se tek Bayerni ka më shumë ambicie për të fituar titullin e Champions League, sesa tek Juventusi.

“Sipas mendimit tim, Bayerni është një skuadër me kualitet të lartë. Aty, ambiciet për të triumfuar në Champions League janë më të mëdha. Një gjë e tillë nuk ndodhte tek Juventusi, kur për të mbërritur drejt suksesit europian, dëshira ishte më e vogël”, ka thënë ndër të tjera hollandezi.

23 vjeçari nuk është ndalur me kaq, por ka theksuar më tej se përpara 3 edicionesh zgjodhi të shkonte tek Juventusi me idenë se aty do të luanim një futboll sulmues, të ngjashëm me atë që luanim tek Ajaksi. “Mendova se do përshtatesha me atë stil loje, por fatkeqësisht Sarri u largua vetëm pas një sezoni”, ka cituar shtatlarti, duke lënë të nënkuptuar se ka qenë I pakënaqur me mënyrën e lojës së trajnerëve Andrea Pirlo, apo edhe Massimiliano Allegri në edicionin që lamë pas. E në fakt, kjo mund të ketë qenë pikërisht një shtysë e madhe që hollandezi u largua këtë verë nga klubi bardhezi.

Sa i përket aventurës së tij tek Bayern Munich, De Ligt ka luajtur 9 ndeshje deri më tani në të gjitha kompeticionet. Në total janë 550 minuta të aktivizuara në fushën e lojës, ku 23 vjeçari ia ka dalë të shënojë edhe një gol.