Nemanja Matic nuk ka qenë një ndër të preferuarit e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, por mesfushori serb këmbëngul se mes tyre nuk ka probleme dhe se gëzojnë një marrëdhënie normale. 31-vjeçari ka luajtur vetëm 22 minuta në këtë fillim të sezonit dhe për të qëndrimi në stol është diçka që e shqetëson. Megjithatë, fokusin e deklaratave të tij e morën fjalët rreth objektivave të Manchester United për këtë sezon, ku Matic nuk nguroi të shënjestronte trajnerin Solskjaer. Sipas mesfushorit, tek ‘djajtë e kuq’ të gjithë presin që të jenë pjesë e luftës për titullin kampion në Angli, por nëse një objektiv i tillë nuk arrihet, atëherë fajtor do të jetë padyshim Solskjaer.
Matic mendon se pavarësisht të kaluarës së norvegjezit me klubin, ai do të duhet të marrë përgjegjësinë për gjithçka që mund të ndodhë përgjatë sezonit dhe jo të gjejë justifikime rreth problematikave të skuadrës. Zgjedhjet finale bëhen nga Solskjaer, prandaj në fund duhet të jetë po ai që të gjykohet për ecurinë e Manchester United.
Matic këmbënguli se po punon çdo ditë e më shumë në stërvitje për të fituar një vend në formacionin e ‘djajve të kuq’, por pavarësisht përpjekjev të tij, duket se Solskjaer kërkon në qendër të mësfushës dyshen Paul Pogba – Scott McTominay. Në rast se gjërat nuk do të ndryshonin, Matic nuk e përjashtoi mundësinë e largimit nga skuadra, madje që në janar, pasi ai dëshiron të ketë sa më shumë minuta nën këmbët e tij.