Edhe pse prej kohësh ka lëshuar deklaratat se ndihet një argjentinas dhe kërkon të luajë për ‘albiceleste’-t, ëndrra e Matias Soule nuk po bëhet realitet. Fantazisti i Romës është lënë jashtë listës së kombëtares së Argjentinës për ndeshjen miqësore kundër Angolas, ku edhe pse ka patur disa mungesa për shkak të dëmtimeve në çastet e fundit, trajneri Scaloni ka preferuar emra të tjerë përpara djaloshit të Romës. Julian Alvarez, Giuliano Simeone dhe Nauhel Molina u tërhoqën nga angazhimi me kombëtaren, për shkak se nuk kanë kryer në kohë vaksinën kundër etheve, që është i detyruar për të shkuar në Luanda, ku do të zhvillohet ndeshja miqësore. Kështu, i vetmi emër i shtuar nga trajneri Scaloni ka qenë Emiliano Buendia, i cili aktualisht luan si i huazuar nga Aston Villa në Gjermani, në radhët e Leverkusen.
Për momentin, duket se Matias Soule nuk është në radarin e trajnerit Scaloni, pavarësisht se lojtari është titulluar i rregullt në radhët e Romës, skuadër që po ndan kreun e klasifikimit në ‘Serie A’ me Interin. Situata e krijuar duket se po e largon gjithnjë e më shumë dëshirën e lojtarit për të punuar me teknikun Scaloni dhe për këtë arsye, janë rritur spekulimet se Soule mund të mendojë seriozisht përfaqësimin e Italisë. Duke qenë se i gëzon të dyja shtetësitë, që pas kohës së kaluar tek akademia e Juventusit, Soule ka mundësinë të përfaqësojë ‘azzurrët’ në nivel ndërkombëtar. Në 2024-ën, Spalletti u përpoq ta bindte për të veshur fanellën e Italisë, por Soule zgjodhi të priste Argjentinën. Duke qenë se planet e lojtarit nuk kanë shkuar siç ishin menduar dhe mospërfilljen nga Scaloni dhe të tjerët në Argjentinë, nuk përjashtohet mundësia që për shkak të këtij zhgënjimi, Soule të vendosë të luajë me Italinë.