Botërori po afron dhe kërkuesit e Universitetit të Insbrukut në Austri kanë vendosur që të bëjnë disa llogari mbi fituesin e mundshëm në “Rusi 2018”. I njëjti ekip matematikanësh ka parashikuar saktë se Spanja do të triumfojë në Botërorin e 2010-ës, kurse në Brazil 2014 parashikoi saktë 3 nga 4 skuadrat gjysmëfinaliste.Në rastin konkret, ata kanë marrë në shqyrtim 26 kompani bastesh për të treguar favoritët e mëdhenj. Pikërisht, koeficentët e kompanive të basteve për ndeshjet e Botërorit i kanë përllogaritur me anë të formulave dhe kanë dalë në përfunim se Gjermani dhe Brazili janë pretendentët kryesorë.
“Finalja më e mundshme, me një probabilitet 5.5% është Gjermani-Brazil dhe këta të fundit kanë shansin për t’u hakmarrë për gjysmëfinalen e humbur në 2014”, shpjegoi profesori Akim Cailais, një nga bashkautorët e studimit. Saktësisht, në bazë të studimit është Selesao braziliane që ka 50.6% mundësi për ta fituar finalen e Botërorit kundrejt 49.4% të Gjermanisë.Pas Brazilit dhe Gjermanisë, dy ekipet e tjera favorite janë Spanja (12.5%) dhe Franca (12.1%). Gjysmëfinalja më e mundshme do të jetë Brazil-Francë (9.4%) dhe Gjermani-Spanjë 9.2%.Ndërsa vendi pritës, Rusia ka 28.9% shanse që të shkojë në çerekfinale, por shanset për të triumfuar në vendin e tyre i kanë vetëm 2.1%.“Kompanitë e basteve duan të fitojnë sa më shumë para dhe koeficientët i vendosin në mënyrë sa më realiste që të jetë e mundur, duke marrë në konsideratë jo vetëm statistikat historike, por edhe shortin, madje edhe lojtarët e dëmtuar”, shtoi profesor Cailais.