Massimiliano Allegri është zgjedhur trajneri më i mirë i muajit Nëntor në Serie A

Sport

Massimiliano Allegri është zgjedhur trajneri më i mirë i muajit Nëntor në Serie A. Dy fitore dhe një barazim në 3 ndeshje të luajtura, kanë rezultuar mjaftueshëm për teknikun bardhezi që të fitojë bindjen e drejtorëve të mediave sportive dhe të përzgjidhet mbi gjithë të tjerët, për herë të parë këtë sezon futbollistik.

Na balotazh me Allegrin ishin Simone Inzaghi i Interit dhe Jose Mourinho i Romës, skuadrat e të cilëve regjistruan gjithashtu nga 2 fitore dhe 1 barazim. Megjithatë, Inzaghi nuk ia doli dot të mbronte çmimin e fituar për muajin Tetor, duke ia lënë vendim tashmë, timonierit të Juventusit.

Për trajnerin më të mirë të muajit, përveç rezultateve, vlerësohen gjithashtu edhe kritere të tjerëa, qofshin ato teknike, sportive, kualiteti i lojës që prodhon skuadra dhe mënyra e sjelljes së lojtarëve.

Ky trofe i fituar nga Allegri do të prezantohet përpara ndeshjes me Napolin në Alllianz Stadium, në Torino, sfidë që është planifikuar të luhet në 8 Dhjetor.

Për të mbetur tek Allegri, trajneri në fjalë, ka një kontratë me Juventusin, deri në vitin 2025. Mbi të ardhmen e tij është folur jo pak përgjatë kohëve të fundit, teksa në lidhje me një temë të tillë, vetë livornezi është shprehur optimist, duke lënë të nënkuptuar, se në një të ardhme të afërt, ai do të rinovojë me klubin bardhezi.