Transferimi i Eden Hazard tek Real Madrid ishtë një lëvizje që pritej prej disa javësh dhe shumë figura të njohura të futbollit e kanë parë afrimin e belgut si blerjen më të mirë që mund të bënte në këtë moment skuadra ‘los blancos’. Një prej tyre është edhe trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez. Si dikush që ka mundësinë ta shohë nga afër dhe të punojë me Hazard, Martinez thotë se vlerat e lojtarit të ri të Real Madrid janë të padiskutueshme. Sipas teknikut të kombëtares belge, Hazard është nga të paktën që mund të luajë në një nivel të lartë e konstant dhe se për Real Madrid ka qenë absolutisht lëvizja më e mirë e mundshme.
Martinez zbulon se lojtari gjithmonë i thoshte se ishte i lumtur në Londër dhe me Chelsean ndihej si në shtëpi. Real Madrid ka qenë gjithmonë një ëndërr e Eden Hazard dhe Martinez zbuloi se ‘los blancos’ ishin e vetmja skuadër që mund ta bënte belgun të braktiste Chelsean. Sa i përket lojtarit, tekniku i kombëtares belge tha se tashmë Hazard ka bërë hapin më të madh të mundshëm të karrierës së tij dhe tani e tutje do të ketë një sfidë akoma më të vështirë, pasi duhet t’i provojë të gjithëve që i ka merituar elozhet e marra deri më sot. Vetë Martinez është i bindur se Hazard do të jetë një lider i shkëlqyer për Real Madrid dhe një pikë kyçe për rikthimin e klubit madrilen drejt suksesve.