Marrin fund dilemat për të ardhmen e Angel Di Maria tek Juventusi

Sport

Telenovela e gjatë, e komentuar prej shumë kohësh, duket se po vjen drejt fundit. Angel Di Maria nuk do të rinovojë me Juventusin. Aventura e argjentinasit në radhët e Zonjës së Vjetër mund të konsiderohet e përfunduar, një aventurë që zgjati vetëm një sezon.

Herë pas here, vetë lojtari ishte shprehur se do të donte të vazhdonte në klubin bardhezi, por që si përfundim palët do të ndahen mes tyre. Sigurisht që në këtë çështje, një rol thelbësor ka luajtur edhe situata e krijuar në radhët e Juventusit përgjatë kohëve të fundit. Penalizimi me 10 pikë i Zonjës së Vjetër, e ka bërë thuajse të pamundur pjesëmarrjen e tyre në Champions League për sezonin e ardhshëm. Gjithashtu, edhe hetimi i hapur nga UEFA është një tjetër ngërç që ka trazuar jo pak ujërat në kampin torinez.

Me fjalë të tjera, mospjesëmarrja në Champions Legaue, do të thotë më pak të ardhura në arkat e Juventusit, e kjo do ta bënte të pamundur klubin që të përballonte ekonomikisht kontratat e disa lojtarëve me peshë, ku një prej tyre padyshim që është Di Maria.

Për këtë arsye, kampioni i botës, mund të shohë për një tjetër aventurë. Tashmë 35 vjeç, drejt perëndimit të karrierës, nuk dihet nëse dëshira e Di Marias është që të mbetet në Europë, apo të rikthehet në vendin e tij të lindjes, diçka që pritet të mësohet shumë shpejt.

Sa i përket aventurës me Juventusin, pavarësisht problemeve të shumta fizike, Di Maria është aktivizuar 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet, dhe ka kontribuar me 8 gola, e 7 asiste.