Marc Marquez mbetet njeriu për t’u mundur në ‘MotoGP’. Piloti spanjoll ka dhuruar spektakël edhe në garën e parë të Tajlandës në historinë e kategorisë më të bukur të garave me motora. Njësoj si 2 javë më parë, Marquez pati një duel deri në metrat e fundit me Andrea Dovizioson e Ducatit, i cili ruajti kryesimin e garës për pjesën më të madhe të saj. Marquez sulmoi disa herë pilotin italian, që nga ana tjetër iu kundërpërgjigj po me të njëjtën mënyrë. Vetëm në xhiron e fundit, Marc Marquez do të realizonte parakalimin final ndaj Doviziosos, me pilotin e Ducatit që tentoi të surprizonte spanjollin në kthesën e fundit.
Por vija e finishit erdhi shumë shpejt dhe fuqia e Ducatit nuk vlente shumë, çfarë bëri që Marc Marquez të ishte fituesi i parë i garës së Tajlandës në ‘MotoGP’. Paraqitje mjaft e mirë edhe e Yamahas, që pa Vinales e Rossin ta përfundonin në vendet 3 dhe 4, por pa patur potencialin për të rivalizuar me dyshen e parë.
Marquez me këtë fitore thuajse ka siguruar titullin kampion edhe për këtë sezon. Diferencat mes tij dhe Doviziosos së vendit të dytë tashmë janë 77 pikë. Ndërsa tek konstruktorët, Honda ruan vendin e parë me 306 pikë, me vetëm 33 pikë më shumë se Ducati.