Marquez triumfon në Katalonjë, Lorenzo bëhet ‘kamikaz’

Sport

Marc Marquez është fituesi i ‘Çmimit të Madh’ të Katalonjës edhe për këtë sezon. Kampioni i botës në fuqi nuk e pati shumë të vështirë të arrinte këtë fitore, kjo edhe për shkak të ‘dhuratës’ që i bëri shoku i skuadrës, Jorge Lorenzo. Ky i fundit u duk se për herë të parë që kur u transferua tek Honda, do të kishte mundësinë të luftonte për podiumin. Por siç pranoi më vonë edhe vetë spanjolli, ekzaltimi i tepërt e bëri të gabonte të shkaktonte një aksident prej ‘kamikazi’. Lorenzo tentoi të frenonte shumë vonë në një nga kthesat e para, duke humbur kontrollin e Hondas së tij, dhe duke nxjerrë jashtë gare 3 nga pretendentët kryesore të garës, Andrea Dovizioson me Ducati dhe dyshen e Yamahas, Vinales e Rossi. Kjo e bëri shumë të thjeshtë për Marquez, që menaxhoi si duhet situatën dhe kreu detyrën kundrejt tentativave të Petruccit dhe Quartararos. Talenti francez ia doli të merrte vendin e dytë dhe të siguronte podiumin e parë në karrierë në ‘MotoGP’, ndërsa Petrucci me Ducati u kënaq me vendin e tretë, teksa më parë kishte patur edhe një duel të fortë me Alex Rins të Suzukit. Pas këtij triumfi dhe me rivalët e tij jashtë gare, Marquez thelloi diferencat në renditjen e përgjithshme për pilotë. Spanjolli i Hondas numëron 140 pikë, ndërsa vendi i dytë vijon të mbahet nga Dovizioso me 103 pikë, vetëm 2 më shumë se Alex Rins. Sa i përket konstruktorëve, Honda udhëheq me 146 pikë, ndërsa ndjekin Ducati me 131 dhe Yamaha me 108 pikë.