Marc Marquez duket se do të shkojë drejt konfirmimit si kampion bote në ‘MotoGP’ edhe për këtë sezon, por kjo nuk e ekzalton pilotin spanjoll, që kërkon kujdes në pjesën e dytë të sezonit. Marquez u shpreh se distancat me Dovizioson janë rritur dhe kjo i jep sigurisht më shumë qetësi, madje piloti i Hondas e sheh të vështirë që marka italiane të bëhet pengesë serioze për të, siç ka ndodhur në vitet e fundit. Kampioni i botës në fuqi tha se pavarësisht shpejtësisë që ka Ducati, për momentin pilotët për t’u mundur janë ata të Yamahas. Sipas Marquez, paraqitja e Vinales dhe Quartararos në Assen dhe Sachsenring nuk kanë qenë të rastësishme, por fryti i punës së markës japoneze, që kërkon të rikthehet kompetitive. Ai e pranoi se ka vuajtur jo pak në duelet e fundit që ka patur pikërisht me Vinales dhe Quartararon dhe pret që përballje të tilla të jenë më të shpeshta dhe më të ashpra në pjesën e mbetur të sezonit. Spanjolli shtoi se kjo gjë nuk do e shtyjë drejt limiteve, pasi siç tha vetë Marquez, do të mendojë jo vetëm për renditjen e pilotëve, por edhe për konstruktorët, ku kërkon të mbajë Hondan në krye të rivalëve. Aktualisht, Marc Marquez numëron 185 pikë në krye të renditjes së përgjithshme, teksa Andrea Dovizioso ndjek i distancuar në vendin e dytë me 58 pikë më pak.