Marquez i kthen revanshin Vinales, Crutchlow plotëson podiumin

Sport

 

Marc Marquez i ka kthyer përgjigje triumfit të Yamahas në garën e Assen teksa triumfoi pa shumë telashe në ‘Çmimin e Madh të Gjermanisë’. Piloti i Hondas nuk vuri asgjë në diskutim në garën e 9 të këtij sezoni, teksa la pas vetes pikërisht bashkëkombasin e tij, Maverick Vinales, me një distancë prej 4.5 sekondash. Spanjolli i Yamahas nga ana tjetër provoi sërish se ka gjetur gjuhën e përbashkët me motorin e tij, duke arritur një rezultat tjetër pozitiv, ndryshe nga Rossi që në këtë garë nuk shkoi më shumë se vendi i 8. Sa i përket podiumit, vendin e tretë e mori britaniku Cal Crutchlow me Hondan ‘satelite’, duke përfituar edhe nga rrëzimet e Fabio Quartararo dhe Alex Rins. Këta të dy parashikoheshin si protagonistë të garës, pas paraqitjeve të mira që bënë në prova, por nxitimi i tepërt për të ruajtur ritmin e Marc Marquez bëri që të dy të humbsinin një shans të mirë për podium. Vetëm vendi i 4 dhe 5 për Ducatin, që kësaj radhe pa Petruccin përpara Doviziosos. Marka italiane ka nuk është aq e shpejtë sa në fillim të sezonit dhe kjo ka bërë që të humbasin terren ndaj rivalëve sa i përket renditjes së përgjithshme. Tek pilotët, Marc Marquez udhëheq me 185 pikë, 58 më shumë se Andrea Dovizioso, që mban vendin e dytë. Ndërsa në renditjen e konstruktorëve, Honda numëron 191 pikë, me 5 gara të fituara dhe 10 podiume, ndërsa Ducati ndjek me 157 pikë, pas 2 triumfeve dhe 8 podiumeve në 9 garat e zhvilluara deri më tani.