Marc Marquez është kthyer tek fitorja dhe e bën këtë në një nga garat më të bukura të kalendarit të ‘MotoGP’, si ajo në Misano. Spanjolli ishte kritikuar së tepërmi pas dy garave të humbura në xhirot e fundit dhe kampioni i botës i ka bërë të gjithë të heshtin. Madje ai e bëri këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi arriti të siguronte triumfin vetëm në xhiron e fundit. Surpriza e këtij sezoni, Fabio Quartararo kishte kryesimin në fillim të xhiros finale, me Yamahan satelite që dukej në një ditë të jashtëzakonshme. Megjithatë, Marquez ia doli të ngushtonte distancat dhe dy pilotët shkëmbyen disa herë vendin e parë, derisa në tentativën e fundit, Quartararos iu desh të frenonte fort për të shmangur kontaktin, çfarë i dha Marquez diferencën e duhur për të mbyllur i pari garën e Misanos.
Podiumi u plotësua nga një tjetër Yamaha, ajo zyrtare, e Maverick Vinales. Ndërsa Valentino Rossi, pavarësisht dëshirës për të bërë mirë përpara publikut të tij, duhet të kënaqet me vendin e katërt, pozicion të cilin ia kërcënoi Franco Morbidelli. Kjo ishte fitorja e 7 sezonale për Marc Marquez, që vazhdon i qetë rrugëtimin drejt konfirmimit si kampion bote. Spanjolli i Hondas udhëheq në renditjen e përgjithshme me 275 pikë, plot 93 pikë më shumë se Andrea Dovizioso i Ducatit, që vijon të mbajë vendin e dytë.