Marquez fiton në Tajlandë dhe konfirmohet si kampion bote

Sport

Emri i tij tashmë është shkruar në historinë e ‘MotoGP’, por Marc Marquez vijon t’i afrohet nivelit të një legjende si Valentino Rossi. Piloti i Hondas u konfirmua zyrtarisht si kampioni i botës edhe për këtë sezon të ‘MotoGP’, teksa arriti të fitojë garën e Buriramit në Tajlandë. Në fakt piloti i Hondas djersiti shumë për të marrë këtë triumf vendimtar, pasi iu desh të duelonte me Fabio Quartararon deri në kthesën e fundit. Megjithatë, Marquez përdori eksperiencën kundër talentit francez, duke u shpallur kampion bote në ‘MotoGP’ për herë të gjashtë në karrierë. Ndërsa nëse llogariten edhe titujt e fituar në kategoritë më të ulëta, Marquez numëron tashmë 8 tituj prej kampioni. Ky sezon është dominuar në mënyrë absolute nga piloti spanjoll i Hondas, i cili ka arritur 9 fitore dhe 14 podiume në total.

Shifra të jashtëzakonshme këto të Marquez, që me me 4 gara të mbetura nga fundi i kalendarit të ‘MotoGP’, numëron 325 pikë, plot 110 më shumë se Dovizioso i vendit të dytë. Por pavarësisht këtyre shifrave të frikshme prej rekordmeni, Marquez u shpreh se për të nuk ka qenë aspak e lehtë. Spanjolli deklaroi se i është dashur të përballet me shumë kritika dhe momente të vështira, por me motorin që i mundësoi Honda, për të, mënyra më e mirë për të përgjigjur ka qenë me paraqitjet në pistë. Titulli i gjashtë i Marquez ka qenë mëse i merituar, ndërsa për skuadrat e tjera, që tani fillon puna për sezonin e ardhshëm.