Marotta shënjestron një tjetër lojëtar nëse plani me Lukaku nuk ecën

Sport

Romelu Lukaku ka pranuar haptazi se kërkon të bashkohet me trajnerin Antonio Conte tek Inter, por zikaltrit ende nuk kanë gjetur marrëveshjen me Manchester United. Sulmuesi belg nuk është paraqitur me skuadrën e drejtuar nga Solskjaer në miqësoret e fundit, çfarë tregon qartë vullnetin e Lukakut për këtë tratativë. Megjithaë, ‘djajtë e kuq’ kërkojnë rreth 83 milionë euro për kartonin e belgut, çfarë tek Inter është konsideruar si një shifër mjaft e lartë. Marotta ka paraqitur një ofertë që nuk i kalon 65 milionë eurot e që do të paguhet me këste nga ane e klubit italian.

Por drejtori i Interit po vijon punën edhe në pista të tjera në rast se transferimi i Lukakut bëhet i pamundur. Edinson Cavani është emri i fundit në listën e zikaltërve, që duket se kënaq jo vetëm kërkesat e trajnerit Conte, por edhe drejtuesit e klubit, duke qenë se është një operacion që mund të kushtojë shumë më pak se ai i Lukakut. Cavani është 32-vjeç dhe vitin e ardhshëm i skadon kontrata me PSG. Sulmuesi uruguaian e njeh mjaft mirë kampionatin italian dhe i pëlqen ideja e të punuarit me Antonio Conten. Madje Cavani është i gatshëm të ulë pagën e tij nga 12 milionë euro që përfiton tek PSG në 9 milionë euro, vëtëm për të bërë të mundur transferimin në Milano. Megjithatë, pista ‘Cavani’ do të mbetet në pritje të zhvillimeve të reja të tratativave për Lukakun. Është përjashtuar për momentin si mundësi transferimi i Duvan Zapatas, pasi Atalanta kërkon për lojtarin plot 60 milionë euro, ndërsa një emër interesant i dalë së fundmi është ai i Rafael Leao nga Lille.