Christian Eriksen nuk do të transferohet tek Inter. Të paktën, kjo është ajo që ka deklaruar drejtori ekzekutiv i zikaltërve, Marotta, që zbuloi se mes klubit italian dhe Tottenham nuk ka patur asnjë kontakt për kalimin e mundshëm të mesfushorit danez në Milano. Eriksen ka kërkuar prej kohësh largimin nga ‘Spurs’-at, me Real Madrid dhe Manchester United që u përfolën fillimisht si destinacionet e mundshme të mesfushorit.
Megjithatë, në ditët e para të merkatos së janarit, me Angli e Itali qarkullonin lajme se Inter ishte futur në garën për Eriksen, e madje kishte arritur një akord verbal për transferimin e lojtarit për një shifër prej 20 milionë eurosh. Por Marotta ka hedhur poshtë çdo gjë, duke qartësuar të gjithë tifozët rreth kësaj situate. Përgjegjësi i merkatos së Interit tha se asnjë prej përfaqësuesve të klubit italian nuk ka patur kontakte me Tottenham apo me vetë lojtarit. Marotta pranoi se Eriksen është një lojtar me cilësi të mëdha, që ka zgjuar interesin e shumë skuadrave të mëdha, mes tyre edhe Inter, por që për momentin, ende nuk ka asgjë konkrete. Christian Eriksen i skadon kontrata me Tottenham në fundin e këtij sezoni. Përpjekjet e klubit londinez për të rinovuar me danezin kanë qenë të kota, prandaj drejtuesit e ‘Spurs’-ave po mendojnë ta largojnë mesfushorin gjatë janarit, për të mos e humbur me parametra zero.
Nga ana tjetër, tek Inter janë konfirmuar bisedimet për Arturo Vidal. Marotta pranoi se ka patur disa tratativa me agjentët e lojtarit dhe përfaqësuesit e Barcelonës, por deri më tani ende nuk është gjetur ‘gjuha e përbashkët’. Sa i përket merkatos së zikaltërve, ai deklaroi se klubi është i interesuar për një mesfushor qendre dhe një në krah, por pa zbuluar emra konkretë.