Marotta fler për sistemin VAR: Në fund, kampionatin do e fitojë skuadra më e mirë

Sport

Fitorja e fundit në kampionat e Interit, ajo ndaj Veronës, me rezultatin 2-1 është kthyer në object diskutimi, jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj. Në aksionin e golit të dytë të zikaltërve, të realizuar në çastet e fundit të takimit, mbrojtësi Alessandro Bastoni rrëzoi në tokë kundërshtarin si pasojë e një bërryli të zgjatur.

Megjithatë, loja u konsiderua e rregullt, e bashkë me të, edhe goli. Pikërisht një episod i tillë është komentuar gjerësisht në mediat sportive italiane, por edhe më gjerë, teksa të shumtë janë ata që ia faturojnë përgjegjësinë VAR-it, duke theksuar se goli nuk duhej të ishte konsideruar i rregullt, duke nënkuptuar në këtë mënyrë, që Interi po favorizohet nga teknologjia e futbollit.

Në lidhje me një situatë të tillë, ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i klubit zikaltër, Giuseppe Marotta, i cili ka thënë se VAR-i është diçka të është kërkuar me ngulm prej të gjithëve dhe duhet të nënvizojmë se VAR-i nuk është një mjet që të eliminojë përfundimisht gabimet në arbitrim, por t’i reduktojë ato.

“Jam pjesë e futbollit për më shumë se 40 vite dhe çdo vit, episode të ndryshme janë analizuar si favor dhe disfavor i këtij, apo atij klubi. VAR-i është këtu për të minimizuar gabimet e arbitrit dhe jo për t’i eliminuar ato, sepse në fund të fundit, një qenie njerëzore do të gabojë gjithësesi. Megjithatë, jam i bindur, se në fund, kampionatin do ta fitojë skuadra më e mirë”, ka deklaruar Marotta.

Kur sezoni ka mbërritur në gjysmë të rrugës, Interi është shpallur kampion i dimrit në Serie A, teksa kryeson me 48 pikë, 2 më tepër sesa ndjekësi më i afërt, Juventusi.