Red Bull do të pretendojë për titullin kampion në ‘Formula 1’ në sezonin e ardhshëm. Kjo është ajo çfarë deklaron këshilltari kryesor i Christian Horner tek skuadra austriake, Helmut Marko. Ish-piloti thotë se ka parë një progres të madh të motorit Honda, që arriti gjatë këtij sezoni edhe fitoren e parë të saj që pas rikthimit në elitën e garave me makina. Nëse puna e Hondas dhe Red Bull do të vazhdojë me të njëjtat ritme edhe gjatë dimrit, Marko beson se në 2020-ën, pilotët e skuadrës austriake do të kenë mundësinë të luftojnë për titullin kampion. Sipas tij, Honda i ka të gjitha kapacitetet për të arritur nivelin e Mercedes e Ferrari dhe fitoret e arritura nga Verstappen gjatë këtij sezoni janë një sinjal i qartë se Red Bull gjatë vitit të ardhshëm do të jetë një skuadër më kompetitive se më parë.
Por Marko ka zbuluar edhe një objektiv të veçantë të skuadrës së Christian Horner. Viti i ardhshëm shihet mjaft i rëndësishëm për Red Bull, pasi do të jetë edhe shansi i fundit për Max Verstappen, për t’u bërë kampioni më i ri në historinë e ‘Formula 1’. Helmut Marko është një nga tifozët dhe mbështetësit më të mëdhenj të pilotit holandez, i cili ka treguar prej kohësh se ka talentin dhe dëshirën për të qenë një ditë në majën e ‘Formula 1’. Këtë sezon, Verstappen ka arritur 2 fitore, ndërsa ka prekur podiumin në 6 raste në total. Aktualisht ai mban vendin e 4 në renditjen e përgjithshme me 212 pikë, vetëm 3 më pak se Charles Leclerc i vendit të tretë.