Mario Balotelli drejt rikthimit në Serinë A, lojtari ka dhënë konfirmimin

Sport

Mario Balotelli drejt rikthimit në Serie A. Në fakt bëhet fjalë për një klub që është ngjitur për herë të parë në histori në elitën e futbollit italian, Monza. Më konkretisht, ky nuk është vetëm një rikthim i Balotellit në Itali, por edhe një rikthim i tij tek Monza, pjesë e së cilës ka qenë pas një gjysmë sezoni, atë 2020/21, në Serinë B.

Sikurse raportojnë mediat përtej Adriatikut, lidhja e ngushtë që futbollisti ka me drejtuesit e Monzas, Silvio Berlusconin dhe Adriano Gallianin, mund ta shtyjë shtatlartin të zbarkojë edhe një herë tjetër në Itali.

Madje, kontaktet e këtij transferimi kanë nisur dhe këtë e ka zbuluar vetë Berlusconi, i cili është shprehur se Balotelli ka treguar gatishmëri për t’u bashkuar edhe një herë tjetër me klubin nga Lombardia.

Me fjalë të tjera, tashmë çështja ka mbetur në dorën e Balotellit, I cili duhet të zgjidhë situatën me klubin e Adana Demirsporit, pjesë e të cilit është që prej verës së shkuar. Në sezonin e tij të parë në Turqi, Supermario zhvilloi një edicion të jashtëzakonshëm në nivelin personal, duke relizuar 19 gola në të gjitha kompeticionet, 18 prej të cilëve ishin vetëm në kampionat. Me Demirsporin, sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2024, por duke qenë se dëshira e tij është të rikthehet në Serinë A, atëherë palët pritet të zgjidhin me konsensus kontratën, në mënyrë që futbollistit t’I jepet mundësia të transferohet tek Monza.